Ish-Kryeministri dhe kryetari i PD Sali Berisha thotë se kandidatura e Bajram Begajt për President të Republikës është shkelje e Kushtetutës.
Në një reagim në Facebook, Berisha shkruan se Kushtetuta ndalon emërimin në detyra të tjera të ushtarakëve aktivë.
REAGIMI NË FACEBOOK I SALI BERISHËS:
Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 përcakton “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe”.
Ky nen pra u ndalon rreptësisht ushtarakëve aktiv të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare.
Kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese.
Kjo së pari se Kushtetuta në përcaktimin e saj është e qartë si kristal dhe është taksative në nenin e saj se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe zgjidhet në detyra të tjera jashtë ushtrise.
Ai që beson se mund të shesë gjeneral Bajram Begajn si ushtarak jo aktiv ai tallet me Kushtetutën, Ushtrinë dhe shoqërinë shqiptare. Gjeneral Begaj, i cili edhe në këtë moment është shefi i Shtabit të Përgjithshëm pra aktiv, po jep dorëheqjen apo po shkarkohet me dekret pra po largohet nga Ushtria si ushtarak aktiv pikërisht për t’u emëruar në një detyrë që Kushtetuta nuk e lejon.
Do të ishte antikushtetuese, e turpshme dhe jashtë çdo logjike ligjore të shpallej ushtarak jo aktiv atë që kalon nga karrigia më e lartë e Ushtrisë në karrigen më të lartë të shtetit. Në rast se gjeneral Begaj kishte ambicie politike, ai duhet prej kohësh të kishte hequr dorë nga funksionet ushtarake.
Për qëndrimin e tij të dy ditëve të fundit ai provon se nuk njeh ligj as Kushtetutë për ambiciet e tij për pushtet ndaj dhe duhet larguar urgjent nga Ushtria si person i rrezikshëm për vendin.
Miq, Kushtetuta në nenin e saj 167 është taksative me qëllim që ushtarakët për kohën që janë ushtarak aktiv nuk mund të kenë, ushqejnë ambicie për pushtete të tjera.
Me këtë akt antikushtetues krijohet precedenti tepër i rrezikshëm për vendin sepse krijon precedentin e mundësisë së ardhjes së ushtarakëve në pushtet pavarësisht se Kushtetuta nuk i lejon ata.
Njëlloj si sot Bajram Bega, nesër një pasardhës i tij mund të përdorë këtë precedent kushtetues për të uzurpuar qoftë dhe me grusht shteti kreun e shtetit.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt tipik për juntat dhe të pashembullt në historinë e vendeve të lira.
Dënoj këtë akt si dëshmi flagrante e kapjes së shtetit dhe Kushtetutës nga një organizate kriminale me në krye Edi Ramën, që nuk ka interesa të tjera përveç vjedhjes dhe plaçkitjes të qytetarëve.
I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj.
tv6+1vlora
Discussion about this post