Nga Foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka akuzuar grupin parlamentar të PD-së se ka bërë përpjekje për falsifikim përsa i përket kërkesës së tyre për mocion me debat për Komisionin Hetimor për Investimet Strategjike.
Nga ana tjetër, ka qenë deputeti Enkelejd Alibeaj i cili më herët ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën pasi sipas tij nuk po respektonte rregulloren e Kuvendit lidhur me futjen në rendin e ditës të kësaj kërkese. Ndërkohë, Nikolla e ka hedhur në votim kërkesën për mocion, gjë që u rrëzua menjëherë me votat e shumicës.
Taulant Balla: Grupi parlamentar i PD ka më shumë nevojë për të mësuar rregulloren. E para, ka 2 vlerësime që bën Kuvendi i Shqipërisë, aspekti i përmbushjes së formës dhe karakteri formal i kërkesës. Nuk ka ndodhur në 30 vite në Kuvendin e Shqipërisë që të marrësh firmat nga një kërkesë e rrëzuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një dokument të ri. Është hera e parë që ndodh, një përpjekje për falsifikim. Nuk mund të marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transformosh në një dokument tjetër. Si mund të ketë besim qytetari se ti do të zbatosh një ligj kur shkel ligjin bazë, atë të respektimit të dokumentave zyrtare? Ju e nisni me shkelje të ligjit, nuk ka ndodhur kurrë. Është detyra primare e Kryetarit të Kuvendit nëse dokumenti plotëson kushtet formale. Mblidhini të njëjtët firmëtarë, a i mblidhni ju këtu sot? Natyrshëm hajde të bëjmë debatin, që zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. Ai dokument nuk ekziston, minimalisht është i falsifikuar sepse vullneti i firmëtarit është hedhur për një dokument që është falsifikuar. Firma hidhet vetëm një herë.
Gjatë fjalës së tij, Taulant Balla ka shprehur vlerësimin maksimal për samitin e zhvilluar ditën e djeshme në Ohër të Maqedonisë për “Balllkanin e Hapur”. Balla ka pasur dhe një thirrje për opozitën lidhur me projektin paraprak për urën që do të lidhë Ulqinin me Velipojën.
Taulant Balla: Do të ishte në turpin tuaj të votonit kundër një ure që na bashkon me vëllezërit tanë në Ulqin. Që kur të vijë diskutimi për buxhetin, mos harroni se do të votoni kundër një projekti të madh historik, siç është ura mbi Bunë.
Ura do të jetë 310 metra e gjatë dhe do të shkurtojë në vetëm 1 kilometër distancën mes dy zonave që aktualisht lidhen nga një rrugë 73 kilometra.
Projekti paraprak u prezantua në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër përpara kryeministrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Për kryeministrin Rama një projekt i tillë është përkthim i asaj që bën Ballkani i Hapur duke ndërtuar ura mes vendeve të rajonit.
Discussion about this post