Athina, e gatshme për bisedime teknike para se palët t’i drejtohen Hagës
Në intervistën për gazetaren e mirënjohur greke Olga Tremi, shefi i diplomacisë helene Niko Dendias theksoi se është e drejta e Athinës për të shtrirë ujërat detare në 12 milje nga bregu. Dendias i tha gazetares Tremi se kjo tashmë ka ndodhur ne Detin Jon. Sipas tij në detin Jon Shqipëria ka 12 milje dhe greket kanë 12 milje detare.
“Zgjerimi me 12 milje detare ne detin Jon është bërë. Nuk është “me”, po është bërë në mënyrë të njëanshme tashmë, sepse është e drejta jonë. Kjo është bërë me mirëkuptim të plotë me Shqipërinë. Ajo që duhet bërë tani me Shqipërinë është që të kemi dakordësi se kur do t’i referojmë dallimet tona në Hagë dhe te shohim nëse nevojiten diskutime teknike para këtij hapi të radhës”.
Dendias përmend si element bazik të marrëveshjes detare me Greqinë zbatimin e parimit të vijës së mesme.
“Çështja e kufirit detar me Shqipërinë është një çështje e zgjidhur me parimin e vijës së mesme. Edhe ne edhe shqiptarët kemi shkuar në 12 milje. Dhe aty ku nuk mund të ndahen 24 milje si në rastin e distancës me Korfuzin ku nuk ka 24 milje, është marrë për bazë vija e mesme. Çështja me Shqipërinë do të zgjidhet në zbatim të plotë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Konventës për të Drejtën e Detit, UNCLOS: 12 milje, të drejta të plota për ishujt”.
Ministri i Jashtëm grek theksoi se edhe në diskutimin e çështjes së kufijve detare me Turqinë, Greqia është kundër çdo kërcënimi apo përdorimi të forcës.
Ai kujtoi faktin se Greqia ka lidhur marrëveshje për delimitimin e zonave detare me fqinjët e saj, me Italinë në Qershor 2020, Marrëveshjen për përcaktimin e zonave të tyre detare dhe në Gusht 2020, Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje që parashikon përcaktimin e pjesshëm të zonave të tyre ekskluzive ekonomike.
Të dyja marrëveshjet janë lidhur në përputhje të plotë me dispozitat përkatëse të UNCLOS. “Greqia synon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në përgjithësi por edhe në veçanti në Egje dhe Mesdheun Lindor”, theksoi Dendias.
Discussion about this post