Shqiperia ‘peshkon’ Poloninë e Republikën Çeke, Kosova gjen Zvicrën, Italia ndaj Anglisë
Short relativisht i kalueshëm për kombëtaren shqiptare në kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë ishin me tepër fat në goglat e hedhura në Frankfurt, me kombëtaren e teknikut Edi Reja që peshkoi kombëtare të forta, por të përballueshme. Skuadra jonë përfaqësuese gjendet në grupin E me kombëtare si Polonia, Republika Çeke, Ishujt Faraoe dhe Moldavia. Polonia e Robert Leëandoëskit do të jetë sërish kundërshtarë i përfaqësueses sonë, e cila ka kujtime jo shumë të mira nga kualifikueset e Botërorit të Katarit. Ndaj polakëve, kuqezinjtë tanë luajtën dy herë vitin e shkuar, duke pësuar dy humbje.
Ndërkaq, Çekia e Patrik Shik ka treguar limite vitet e fundit, për tu shndërruar në një kombëtare të përballueshme. Edhe ndaj çekëve, kuqezinjtë kanë zhvilluar një miqësore në Qershorin e vitit të shkuar, ku në sytë e 2 mijë spektatorëve u mposhtën me shifrat 3-1.
Ishujt Faraoe janë një kundërshtarë i paeksploruar për kuqezinjtë tanë, pasi në historikun mes tyre nuk ka asnjë përballje, ndryshe nga Moldavia, e shndërruar në një kundërshtarë të shpeshtë në kualifikueset e Europianit për skuadrën tonë. Ndaj moldavëve, kuqezinjtë u sfiduan edhe në edicionin e shkuar të Europianit, ku koleksionuan pikë të plota pas dy sfidave.
Kosova u shortuar në grupin I, me kundërshtarë si Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andora. Ndaj zvicerianëve është edhe një derbi kuqezi, pasi Helvetët kanë në përbërje lojtarë me origjinë dardane.
Maqedonia e Veriut gjendet në grupin e ferrit, atë C së bashku me Italinë, Anglinë, Ukrainën dhe Maltën. Dy kundërshtarët finalistë të Europianit të shkuar për kombëtaren e mbushur me futbollistë shqiptarë, të cilët duan që t’i kthejnë sërish makthet e atij eliminimi nga Kupa e Botës kombëtares së teknikut, Roberto Mançini.
Grup i paraparashikueshëm mund të konsiderohet ai B, ku pjesë e saj janë Holanda, Franca, Republika e Irlandës, Greqia dhe Gjibraltari.
Spanja mund ta cilësojë veten me fat, me goglat që i rezervuan kundërshtarë si Skocia, Norvegjezia, Gjeorgjia dhe Qipro. Kroacia do mas forcat me Uellsin, Armeninë, Turqinë dhe Letoninë. Lukaku me shokë do ketë rival kundërshtarë si Austria, Suedia, Estonia dhe Azerbajxhani, kombëtare e drejtuar nga ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Hungaria do ketë kundërshtarë ballkanas në grupin G, si Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria dhe shtetin balltik, Lituaninë.
Surpriza e edicionit të shkuar të Europianit, Norvegjezia do ketë si rival Finlandën, Slloveninë, Kazakistanin, Irlandën e Veriut dhe San Marinon. Ndërkaq,Portugalia e Cristiano Ronaldos do të ketë një mision relativisht të lehtë për të qënë pjesë e Europianit të ardhshëm. Bosnje Hercegovia, Islanda, Luksenburgu, Sllovakia e Lihtenshtejni do jenë pengesat e fundit për Luzitanët për të marrë pjesë në turneun e fundit që Ronaldo do jetë pjesë e një kompeticioni të madh.
Takimet e para do të luhen marsin e vitit të ardhshëm, teksa sfidat e kombëtares shqiptare do të transmetohen ekskluzivisht falas në televizionin kombëtar “Klan”.
KALENDARI I NDESHJEVE
27/03/2023 Poloni – Shqipëri
17/06/2023 Shqipëri – Moldavi
20/06/2023 Ishujt Faroe – Shqipëri
07/09/2023 Republika Çeke – Shqipëri
10/09/2023 Shqipëri – Poloni
12/10/2023 Shqipëri – Republika Çeke
17/11/2023 Moldavi – Shqipëri
20/11/2023 Shqipëri – Ishujt Faroe
tv6+1vlora
Discussion about this post