Takimi i nivelit të lartë të BE-së në Bruksel i përgjigjet kërkesës së Hungarisë dhe vendos një gjysmë embargoje nafte kundër Rusisë. Kështu arrihet vendosja e unitetit. Si do vazhdohet më tej?
Qëlloi që Viktor Orban, kryeministri hungarez të kishte ditëlindjen këtë të martë (31.05) dhe ai mori një dhuratë të madhe politike nga BE. Hungaria si dhe Sllovakia dhe Çekia do të përjashtohen fillimisht nga embargoja e BE-së ndaj naftës ruse, nëse nafta furnizohet me gazsjellës. Javë me radhë Orbani arriti të mbrohej me sukses kundër vendosjes së sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, sepse vendi i tij është krejtësisht i varur nga gazsjellësi “Druschba”. Me anë të tubave të gazsjellësit “Miqësia”, Bashkimi Sovjetik ka pas furnizuar me naftë shtetet motra komuniste. Emri që ka gazsjellësi tingëllon sot krejtësisht jashtë mode.
Efekti i sanksioneve
Megjithatë efekti i sanksioneve është kufizuar vetëm tek embargoja e naftës që vjen me cisterna. Ai hyn krejtësisht në fuqi në fund të vitit. Dy të tretat e eksportit të naftës në BE do të reduktoheshin, gjë që sipas llogarive të Agjencisë Bloomberg do t’i shkaktonin arkave shtetërore ruse një humbje prej 10 miliardë dollarësh. Nëse Gjermania dhe Polonia do të heqin vullnetarisht dorë nga marrja e naftës së papërpunuar nga “gazsjellësi Miqësia”, atëherë ekportet ruse të naftës do të binin me 10 përqind të sasisë së deritanishme. Përveç kësaj, në kuadër të rebelizmit hungarez, edhe Bullgaria dhe Kroacia kanë kërkuar të bëhen përjashtime. Për ata ekzistojnë afate më të gjata për vendosjen e embargos së naftës. Mikhail Krutikhin, një ekspert nafte nga Oslo, i tha Deutsche Welles se ai i vlerëson humbjet për shtetin rus të jenë më të mëdha. Ai mendon se 25 përqind e të ardhurave, që do përbënin shumën 50 miliardë dollarë, do të shkurtohen që në fund të vitit. Shitja e naftës në Azi është e vështirë.
Eskpertë të tjerë ekonomie thonë se nuk ekziston lidhje direkte midis biznesit të naftës dhe financimit të luftës ruse. Ushtarët dhe armët e prodhimit rus paguhen me rublën ruse, të cilën Kremlini e shtyp vetë nëpërmjet Bankës Qendrore. Ambasadori ukrainas në Gjermani, Andrij Melnyk, e quajti embargon e naftës “një gjysmë hapi”. Në arkën ruse të luftës vazhdon të rrjedhin ende shumë para nga biznesi i energjisë, kritikuan menjëherë politikanët ukrainas. Megjithatë e sigurt është se nëpërmjet embargos çmimi i energjisë për konsumatorët në Europë do të vazhdojë të rritet dhe se rritja e inflacionit nuk do të frenohet.
Tek energjia çështjet bëhen serioze
Duket thuajse e çuditshme që pikërisht presidenti ukrainas, Wolodymyr Selenskyj i bëri paralajmërime takimit të nivelit të lartë të BE, që të lerë mënjanë grindjet për embargon e naftës. “Grindjet e brendshme bëjnë që Rusia të rrisë presionin ndaj Europës,” tha Selenskyj në një mesazh me video drejtuar takimit të Brukselit. Prova të tjera për të treguar vendosmërinë e BE ndodhen ende përpara, sepse sa më shumë që flitet për vendosjen e sanksioneve në sektorin e energjisë, aq më të ashpra bëhen pasojat për shtetet e BE-së.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban kërkoi që të mendohet mirë për pasojat e sanksioneve. “Energjia është një çështje serioze. Nuk është lojë fëmijësh. Kjo do të thotë se ne kemi në fillim nevojë të gjejmë zgjidhjet pastaj të vendosim sanksionet. Deri tani ne gjithnjë kemi vendosur sanksione dhe pastaj kemi menduar për pasojat dhe zgjidhjet e mundshme të mënyrave për mënjanimin e tyre. Por energjia është çështje e rrezikshme. Është çështje serioze.”
Heqja dorë nga përdorimi i qymyrit rus dhe naftës ruse është vendosur tashmë. Por nëse bëhet fjalë për vendosje sanksionesh kundër importit të gazit, atëherë Italia, Austria dhe Gjermania deklarojnë se mënjanimi total i gazit rus do të jetë i mundshëm vetëm pas disa vitesh, nëse kërkohet që ekonomitë e vendeve të mos dëmtohen rëndë. Polonia dhe shtetet baltike kërkojnë njësoj si Ukraina, heqjen e menjëhershme dorë nga marrja e gazit.
Sipas të dhënave nga Këshilli i Ambasadorëve, BE është duke përgatitur një paketë të shtatë sanksionesh kundër agresorit rus. Por në këtë paketë nuk është parashikuar gazi, por vetëm kufizimet tregtare dhe pengesa për firmat ruse dhe bankat ruse.
Afrika kujdeset për importin e drithërave
Pasojat e sanksioneve duhen menduar mirë, thotë edhe kryetari i Unionit Afrikan, presidenti senegalez Macky Sall, i cili po ashtu ishte i ftuar të jepte një mesazh me video në takimin e lartë të BE. Përjashtimi i “Sberbank-ës” shtetërore ruse nga sistemi Swift i pagesave, ua bën të vështirë vendeve afrikane të paguajnë importin e drithërave ose plehrave kimike nga Rusia. Kjo gjë ashpërson krizën e ushqimit në Afrikë, thotë Sall, që krijohet nga heqja e furnizimeve ukrainase me drithëra. Sall i kërkoi BE, që të gjejë një zgjidhje së bashku me Afrikën./DW
Discussion about this post