Sali Berisha deklaroi këtë premte se kryeministri Edi Rama ka qenë dhe është në hetim ndërkombëtar.
“Unë mund t’ju deklaroj se personalisht Edi Rama, është sipas të gjitha indicieve, ka qenë dhe është në hetim ndërkombëtar“, u shpreh Berisha.
Për këtë, Berisha lexoi një mandat të gjykatës në SHBA ku sipas tij, Rama po hetohet nga FI në rastin e ish-agjentit McGonigal.
“Gjykatësi urdhëron çdo regjistrim dhe material në posedim, që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi, por jo të kufizuar, tekstet e mesazheve celulare, emailet elektronike, mesazhet zanore, letra, shënime, midis Charles McGonigal për çështjet që vijojnë, përfshi kryeministrin Edi Rama. Çdo udhëtim i kryer nga McGonigal në Shqipëri, çdo pagesë, dhuratë, të dhëna atij nga Dorian Duçka, këshilltari famoz i Edi Ramës. Pra, nuk përmendet në Kosovë a Mal të Zi kryeministri, vetëm në Shqipëri përmendet kryeministri. Në emailin zyrtar të McGonigal gjendet një email privat i Edi Ramës. Edi Rama i kërkonte mikut të tij, McGonigal t’i gjente një kompani për një problem antikorrupsioni. Por FBI e ndalon kategorikisht këtë gjë. McGonigal ndërkohë, erdhi në Shqipëri, regjistroi kompaninë e tij të biznesit, pra më thoni ju mua, a është ky mandati i gjykatësit? Por ka edhe çështje të tjera”, u shpreh Berisha më tej.
Më herët gjatë fjalës së tij, Berisha tha se në operacionin për shkatërrimin e sistemeve dixhitale janë përfshirë edhe hakera të qeverisë, rusë dhe serbë përveç atyre iranianë.
Berisha hodhi akuza se shkatërrimi i sistemeve dixhitale është bërë për të zhdukur provat për lidhjen e krimit të kryeministrit Edi Rama, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit dhe Erion Veliaj.
Discussion about this post