Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar vizitën e tij në Gjermani, ku do të zhvillojë takime me aktivistët dhe mbështetësit e partisë, me fokus në procesin e regjistrimeve. Kjo vizitë realizohet me ftesë të Unionit Kristian Demokrat, ndërsa Berisha ka sqaruar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që ta ndalojë të udhëtojë jashtë vendit.
Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, Berisha theksoi se kjo vizitë nuk ndikon në raportet e tij me SPAK dhe se, pas kthimit nga Gjermania, është i gatshëm të paraqitet për dy ditë radhazi në Prokurorinë e Posaçme.
“Kam një ftesë për të marrë pjesë në një aktivitet, shkoj për të takuar aktivistët dhe militantët tanë në lidhje me regjistrimet. Pra, janë një seri aktivitetesh. Nuk shënjon sepse nuk ka asnjë motiv që unë të ndalohem të shkoj jashtë, se kjo do të ishte pastaj kufizim i lëvizjes jashtë. Jam gati të shkoj dy ditë rresht pas kësaj dite për konferencë. Nuk përtoj. Kam një aktivitet mediatik të hatashëm atje,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatit të Berishës për të shtyrë paraqitjen e tij të planifikuar më 3 shkurt, në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo kërkesë u miratua nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Sipas vendimit, Berisha do të paraqitet në SPAK të hënën e tretë të muajit shkurt. Kujtojmë se më herët, Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e SPAK për ta vendosur atë në “arrest shtëpie”, duke e detyruar të paraqitet dy herë në muaj në prokurori. Masa e arrestit shtëpiak u hoq më 27 nëntor 2024 me vendim të gjyqtares Flojera Davidhi.
Discussion about this post