Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar dhënien me koncesion të shtetësisë shqiptare. Në një konferencë me gazetarët nga selia blu, Berisha tha se “pasaporta e artë” e bën Shqipërinë një vend të rrezikshëm jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin e Europën.
“Me procesin e dhënies me koncesion të shtetësisë dhe pasaportën e artë, Edi Rama shndërron Shqipërinë në një vend të rrezikshëm për qytetarët e saj, shndërron Shqipërinë në vend të rrezikshëm për shkak të trafikantëve e terroristëve që mund të mblidhen në këtë vend, për vendin, rajonin dhe Europën. Përshëndes qëndrimin e KE që është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtyre praktikave”.
“Pasaportën e artë”, Berisha e konsideron edhe si qëllim politik të Kryeministrit Edi Rama për të bllokuar negociatat me BE.
“Dënoj pasaportën e artë të Edi Ramës si një thirrje për trafikantët kriminelë por dhe terroristë nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri, paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika me sa duket kanë një qëllim të dytë politik, bllokimin e procesit të negociatave me BE. Është e vërtetë që konferenca e parë është mbajtur, sikundër është e vërtetë që negociatat nuk janë hapur në kuptimin që procesi do fillojë pas disa rishqyrtimeve që do bëhen gjatë këtyre muajve në një konferencë të dytë. Për të shtyrë në kalenda konferencën e dytë është kjo që bën Edi Rama. E paralajmëroj se këto praktika do kundërshtohen me gjithë potencialin që ka opozita. Paralajmëroj çdo person, aplikimi mbi bazën e kësaj praktike nuk do të njihet nga opozita shqiptare ndaj mos bien pre e një skeme të madhe mashtrimi. Ky është qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj këtij procesi në të cilin Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij nëpërmjet krimit, drogës dhe mafies”.
Discussion about this post