Presidenti amerikan Joe Biden udhëtoi këtë të hënë drejt Kievit, në një vizitë të paparalajmëruar.
Ai u prit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin kreu homazhe edhe në përmendoren e mbrojtësve të rënë të Ukrainës në sheshin Mihalivska të Kievit.
Vizita vjen në prag të 1 vjetorit të sulmit rus ndaj Ukrainës. Kjo vizitë i paraprin nisjes së një turi 3 ditor të presidentit Biden në Poloni, më vonë gjatë ditës së sotme.
Kjo është hera e parë që Biden zhvillon një vizitë në kryeqytetin ukrainas pas nisjes së sulmit rus, që ishte kërkuar me kohë, teksa shumë udhëheqës të tjerë perëndimorë e kanë vizituar gjatë kësaj periudhe Kievin.
Biden në Kiev: Mbështetje të palëkundur për Ukrainën
Në një deklaratë zyrtare Shtëpia e Bardhë tha se vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Kiev kishte si qëllim riafirmimin e angazhimit të palëkundur të SHBA për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Kur Putin nisi pushtimin e tij gati 1 vit më parë ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi i ndarë. Ai mendoi se mund të na tejkalonte, por e kishte tmerrësisht gabim”, tha Biden.
Më tej në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden dhe Zelensky zhvilluan diskutime të gjera për mbështetjen e SHBA për Ukrainën dhe se Biden e njoftoi për furnizimin me më shumë pajisje kritike në ndihmë të mbrojtjes së vendit.
Sipas deklaratës, ndaj Rusisë pritet të ndërmerren edhe më shumë sanksione.
Kujtojmë se dy liderët janë takuar herën e fundit në Dhjetor të 2022-it, kur Zelensky udhëtoi për në Washington.
Zelensky falenderon Biden për vizitën dhe armët: Ukraina ju është mirënjohëse zoti President!
Në një deklaratë të përbashkët televizive pas vizitës surprizë të Presidentit amerikan Joe Biden në Ukrainë, Zelensky tha se “bota demokratike” duhet të fitojë “këtë betejë historike”.
“Është vizita më e rëndësishme në të gjithë historinë e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë”, tha Zelensky, duke shtuar se ajo “nënvizon rezultatet që kemi arritur deri më tani”.
“Sot negociatat tona ishin shumë frytdhënëse”, tha Zelensky, duke shtuar se rezultatet e kësaj vizite padyshim që do të shihen dhe se do të kenë reflektim në fushëbetejë. Vendimi i SHBA për t’i dhënë tanke Abraham Ukrainës në Janar, ka kontribuuar në përforcimin e mbrojtjes së Ukrainës, u shpreh Zelensky, ndërsa shtoi se me Biden kishin biseduar për edhe armë me rreze të gjatë.
“Di që do të ketë një paketë shumë domethënëse ndihme për Ukrainën… duke dhënë një sinjal të qartë se agresioni i Rusisë nuk ka asnjë shans. Ukraina ju është mirënjohëse zoti president”, tha presidenti ukrainas.
Discussion about this post