Kryeministri Edi Rama ka shtyrë takimin me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe që pritej të mbahej këtë të dielë.
Burime për media bëjnë me dije se kryeministri e ka spostuar ditën e takimit për më vonë në datën 9 qershor, për arsye teknike që kanë hasur në sallën ku ishte menduar që të zhvillohej takimi.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dhe administrata e tij kanë nisur një tur nëpër Evropë për t’u takuar me emigrantët shqiptarë në këto vende, si një mënyrë për t’ju shprehur mbështetjen por edhe për t’i thirrur që të vijnë në vendin e tyre, për të jetuar, investuar apo punuar.
Turi i tij nisi me kryeqytetin e Greqisë, Athinën në datën 12 maj, ku mijëra shqiptarë u mblodhën në stadiumin “Galatsi” për të dëgjuar fjalën e tij. Ndalesa e dytë në rrugëtimin e Ramës, ishte në Milano në datën 26 maj, ku u takua me komunitetin shqiptar në këtë vend.
Data 2 qershor, ishte njoftuar si dita ku Rama do të takohej me shqiptarët që jetojnë në Britani, por si duket kjo do të realizohet në 9 qershor, disa ditë më vonë se ajo e premtuara. Pas kësaj, kryeministri do të zhvillojë takimin e tij në Gjermani, e cila do të jetë edhe faza përmbyllëse e turit evropian.
Discussion about this post