Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, në një bashkëbisedim me gazetarët ka bërë me dije se do t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për të ndryshuar strukturën e cila do të merret me vlerësimin dhe numërimin e votave të diasporës.
Më parë, Celibashi kishe deklaruar se numërimi i votave do të kryhej në ambientet e KQZ dhe nga stafi i KQZ, por se nuk ishte caktuar përbërja e ekipit.Kryekomisionieri tha sot se në strukturë do të kërkohet përfshirja edhe e përfaqësuesve të partive politike, si faktor kyç për besueshmërinë.
“Pas konsultimeve të bëra me përfaqësuesit e dy partive kryesore politike PS dhe PD, si dhe në vlerësim të gjithë aspekteve të numërimit të fletëve të votimit, do ti propozoj Kuvendit që të ndryshojë Kodin Zgjedhor përsa i përket strukturës që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit.
Duke qenë se ky proces zhvillohet për herë të parë e ka themelore besimin e të gjitha palëve, do të ishte e udhës që në procesin e vlerësimit dhe numërimit të fletëve të votimit të përfshihen edhe partitë politike, veçmas KQZ. Në këtë mënyrë tejkalon edhe ngërçin e momentit të shqyrtimit nga Komisionit Rregullator të aktit që lidhet me procedurën e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit dhe mendoj se propozimi i konsultuar, thuajse i dakordësuar në parim me përfaqësuesit e partive politike, adreson shqetësimet e gjithkujt ndaj besimit për procesin e vlerësimit dhe numërimit të votave”, tha ai.
Discussion about this post