Gerald Shehu, pronari i Hotel “GRECCIA” në Dhërmi që vrau dhe i zhduku trupin recepsionistit Eraldo Nevruzi, është arrestuar rreth orës 18.00 të pasdites së sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Korfuzit “Jani Kapodistria, raporton newsbomb.al. Ai po përgatitej të largohej drejt Barcelonës dhe më pas Anglisë.
43 vjeçari po përgatitej të largohej dhe nga Greqia, sapo u mësua se pas ngjarjes kishte kaluar kufirin e vendit fqinj.
Rreth orës 18.00 me orën e Shqipërisë dhe 19.00 me atë të Greqisë, Policia helene ka njoftuar homologët shqiptarë se kishte lokalizuar dhe arrestuar në një nga aeroportet e vendit shtetasin me kombësi shqiptare dhe pasaportë britanike, Gerald Shehu.
Hotel Greccia dhe pronari, Gerald Shehu
Newsbomb.al mëson se ai është ndaluar në Aeroportin e Kurfuzit, me dy bileta të prera fillimisht për në Barcelonë dhe më pas në Britaninë e Madhe, vend ku dhe jeton.
Falë zbardhjes në kohë rekord të ngjarjes nga Policia e Vlorës dhe sigurimi i pamjeve filmike e provave të tjera që provojnë autorësinë e vrasjes nga Gerald Shehu, është bërë shpallja e tij në kërkim. Nga këqyrja e Sistemit TIMS ka rezultuar se 43 vjeçari ishte larguar drejt Greqisë, menjëherë pas ngjarjes dhe palës greke i është kërkuar ndihmë për arrestimin e tij.
Kur ka parë se gjithçka ishte zbuluar, pronari i Hotel “GRECCIA” në Dhërmi ka nxituar të presë biletat për t’u larguar edhe nga Greqia, një vend që mesa duket e adhuronte sepse edhe hotelit i kishte vendosur emrin e tij. Teksa bëhej gati për të hipur në avion, Gerald Shehu është ndaluar nga policët grekë dhe pasi janë bërë verifikimet përkatëse, është arrestuar.
Ndërkohë, Policia Shqiptare vijon prej më shumë se 20 orësh kërkimet për gjetjen e trupit të recepsionistit Eraldo Nevruzi. Në pamjet e kamerave të hotelit dhe nga dëshmitë, është raportuar se rreth orës 00.30 të mëngjesit të sotëm ka pasur dy të shtëna pistolete që dyshohet se i kanë marrë jetën të riut nga Tirana.
Në të gjithë fshatrat përreth Dhërmiut po ushtrohen kontrolle të imtësishme, për të gjetur trupin e 31 vjeçarit.
Recepsionisti i vrare, Eraldo Nevruzi
Ndërkohë, nga veprimet hetimore në një parking në lagjen nr.4 të Sarandës është konstatuar një mjet i ngjashëm me atë të autorit Gerald Shehu dhe menjëherë i është bërë kontroll. Audi luksoz me targa të Anglisë është i pronarit të Hotel “GRECCIA” dhe ishte lënë në qytetin bregdetar gjatë arratisjes.
43 vjeçari është larguar me traget nga Saranda drejt Korfuzit dhe nuk e ka marrë me vete makinën, e cila tashmë është sekuestruar dhe po kontrollohet nga efektivët me shpresën se aty do të gjendet ndonjë provë.
“Po si rezultat i veprimeve hetimore, në lagjen nr.4, Sarandë, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit tip “Audi”, i dyshuar i përdorur nga autori në këtë ngjarje. Grupi hetimor vijon punën intensivisht, në koordinim me Prokurorinë, për gjetjen e shtetasit E. N. dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton Policia e Vlorës.
Discussion about this post