Kryepeshkopi Anastas Janullatos është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare. Ai luftoi prej ditësh me vdekjen i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë, por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, Anastas Janullatos u largua përgjithmonë nga kjo botë duke lënë pas një trashëgimi të pasur fetare.
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua që në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe më pas u dërgua për kurim të specializuar në Athinë në datën 3 janar. Që prej asaj kohë gjendja e Janullatos sa vinte dhe përkeqësohej.
Tashmë një tjetër figurë e shquar duhet të vijë në krye të Kishës Orthodhoske të Shqipërisë për të vazhduar shërbesën e pandërprerë të Kryepeshkopit. Kujtojmë se disa vite më parë vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka thënë se pasardhësi i tij në krye të kishës do të jetë shqiptar.
Mitropoliti i Korçës është pretendenti kryesor për të ardhur në krye të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë. At Joani Pelushi është emri i cili po lakohet më tepër përgjatë ditëve të fundit si pretendenti për tu emëruar si Kryepeshkop i Shqipërisë.
Ja kush mund të pasojë Anastas Janullatos:
Joan Pelushi
Në një intervistë për tv Sky me gazetarin Alexis Papachelas, ai u pyet për këtë çështje dhe u shpreh duke thënë se: “Kjo është mëse e qartë. Unë vet jam shumë vite atje. Shikoni. Nuk kemi guximin të shikojmë ngjarjet me sytë e tjetrit. E imagjinoni ne të kishim një gjë të tillë, a do të pranonim për shumë vite dikë nga Bullgaria apo nga Serbia në krye të Kishës? Jo, unë e quaj tepër të logjikshme që pasardhësi do të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam atje të krijojmë një koloni. Shkuam të krijojmë një Kishë Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë“.
Por kush është At Joani Pelushi, emri i të cilit po përflitet se mund ta pasojë Anastas Janullatosin?
At Joani Pelushi (Fatmir Pelushi), Mitropoliti i Korçës ka lindur më 1 janar të vitit 1956. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara dhe është një folës i mirë i gjuhës angleze.
At Joani është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Peshkop Fan Nolit.
Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Me tu diplomuar në “Kryqin e Shenjtë” me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbej ne vende të tjera brenda Kishës. Ai e hirotonisi në dhjak në 27 shkurt 1994, e më pas si prift në 4 dhjetor të të njëjtit vit.
Në 1995-ën merr një të drejtë studimi edhe rikthehet në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar studime të mëtejshme. Kur u kthye në 1996-tën, caktohet si drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës, si edhe ngrihet në rangun e Arkimandritit në 19 nëntor.
Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas.
Ai ka përkthyer një numër librash në shqip:1-Mbi Shpirtin e Shenjtë, botuar më 1996.2-Besimi Ortodoks. Vëll. I Doktrina, botuar më 1997.3-Besimi Ortodoks. Vëll. II Adhurimi, botuar më 1997.4-Besimi Ortodoks. Vëll. III Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, botuar më 2000.5-Besimi Ortodoks. Vëll. IV Spiritualiteti, botuar më 2002.6-Shën Siluani, botuar më 2003.7-Dogmatika, (Dispensë) tekst mësimor në Akademinë Teologjike.8-Shenjtorët iliro-shqiptarë, (Dispensë) 9-Predikime.
Gjithashtu Mitropoliti i Korçës Joani ka botuar artikuj të shumtë në gazetën “Ngjallja”, ka referuar kumtesa nëpër simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me kujdesin e tij del ne qarkullim revista “Tempulli”.
Discussion about this post