Ka rezultuar tepër e vështirë për Interin përballja me Parmën në Kupën e Italisë. Zikaltërit prenë biletën e çerekfinales vetëm pas 120 minutash lojë dhe rezultatit 2-1, por ishin miqtë ata të cilët realizuan të parët në pjesën e parë. Juric shtangu San Siro-n me një supergol nga jashtë zone.
Kampionët në fuqi të Kupës së Italisë rrezikuan shumë të eliminoheshin, por në minutën e 88 Lautaro Martinez falë edhe një devijimi gjeti baraspeshën. Nga ky moment skuadra e Inzaghit u rrit edhe në lojë, por kjo nuk mjaftoi që ndeshja të mbyllej brenda 90 minutave. Në shtesë dhe konkretisht në minutën e 110 Acerbi ndëshkoi për herë të dytë në këtë ndeshje 44-vjeçarin Buffon, duke realizuar një gol të pazakontë me kokë. Në turin tjetër Inter do përballet me fituesin e çiftit Atalanta-Spezia.
Për t’u evidentuar fakti se dy golat e Interit në këtë ndeshje kupe u ideuan nga Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar më në fund u aktivizua si titular dhe u tregua vendimtar për zikaltërit. Jo më kot ishte një nga pak lojtarët që I shpëtuan vlerësimit negativ në këtë ndeshje bashkë me Lautaron, Onana-n, Acerbi-n dhe Di Marco-n. Pas ndeshjes Asllani u shpreh se ‘ishin përgatitur për një ndeshje shumë të vështirë’ dhe që ‘i vinte mirë që kishte ndihmuar shokët e skuadrës’.
Discussion about this post