Prokuroria Vlorë ka sekuestruar 3996.5 metër katrorë tek Uji i Ftohtë me vlerë 1.2 milionë euro që rezulton se ishte përvetësuar me dokumente të falsifikuara.
Pasuria në fjalë ndodhet pranë hotel “Neë York”, në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit “Lungo Mare” në qytetin e Vlorës.
Në dhjetor të vitit 2020, një nga bashkëpronarët e truallit, shtetasi me iniciale F.M. ka denoncuar në Gjykatën e Vlorës ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale ndaj bashkëpronarëve, me pretendimin se pronësinë e kanë fituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Nga hetimet e kryera arrihet në konkluzionin se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, njofton Prokuroria.
“Rezulton e provuar, se trashëgimtarët e shtetasit G.D., konkretisht shtetasi A.D., ka falsifikuar dokumentin ‘NOTË TRANSKRIPTIMI’ e datës 04.04.1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, përpiluar nga noter A. A.’, dokument i cili sipas aktit të ekspertimit tekniko-grafik me nr.12299 datë 07/10/2022 të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, rezultoi tërësisht i falsifikuar.
Rezultoi e provuar se dokumenti i mësipërm i falsifikuar, është përdorur në proceset administrative dhe gjyqësore, konkretisht pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë (2013); Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë (2016); Gjykatës së Apelit Vlorë (2018) dhe ka qenë dokumenti bazë dhe kryesor që ka shërbyer për njohjen dhe kthimin e pronës dhe që ka diktuar vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me pasurinë objekt gjykimi, me sipërfaqe prej 6480 m2, nga të cilat 3996 m2 ka rezultuar e lirë, ndërkohë që pjesa tjetër ka rezultuar e zënë me ndërtime”.
Vlera e pasurisë së sekuestruar sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 1.200.000 euro.
Discussion about this post