Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në Ditën Botërore të Familjes.
Meta shkruan se familjet shqiptare gjenden vazhdimisht në rrethana të vështira për shkak të varfërisë, mungesës së përkrahjes së duhur sociale, papunësisë dhe arsimimit jocilësor.
Ndër të tjera kreu i shtetit se një familje e shëndetshme mund të kontribuojë në harmoninë dhe në paqen shoqërore, si dhe të sjellë përfitime në çdo sektor të jetës dhe zhvillimit të vendit.
Postimi i plotë:
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes!
Tradita shqiptare ka si qendër të saj familjen. Vlerat dhe zakonet tona kombëtare janë kultivuar pranë vatrës familjare sepse familja është institucioni më i qëndrueshëm mbi të cilin është ndërtuar jeta shoqërore, djepi më i sigurt ku mund të rritet brezi i ri, ndërtohet dhe garantohet e ardhmja e një vendi dhe kombi.
Vetëm përkushtimi ndaj familjes na forcon dhe na bën një komb më vital dhe më të bashkuar sepse siç na ka mësuar Sami Frashëri: “Dashuria për Atdheun lind nga dashuria për familjen.”
Por familjet shqiptare janë gjendur vazhdimisht në rrethana të vështira për shkak të varfërisë, mungesës së përkrahjes së duhur sociale, papunësisë dhe arsimimit jocilësor.
Divorcet, vetmia, dhuna dhe shfrytëzimi i të miturve janë fenomene tragjike që e kanë kërcënuar rolin e familjes, goditur themelet e shoqërisë dhe zbehur ndjenjat e atdhedashurisë.
Vetëm një familje e shëndetshme mund të kontribuojë në harmoninë dhe në paqen shoqërore, si dhe të sjellë përfitime në çdo sektor të jetës dhe zhvillimit të vendit.
Ndaj forcimi i rolit, vlerave dhe mbrojtja e saj duhet të jetë prioriteti ynë, udhëhequr nga deviza: FAMILJE! ATDHE! KOMB!
Duke luftuar për familjen e lumtur, solide, në mirëqenie dhe në paqe brenda saj, nëpërmjet politikave konkrete mbështetëse që luftojnë varfërinë, ne do të ndalim edhe shpopullimin dramatik dhe do të garantojmë të ardhmen tonë të suksesshme në këto kohë globalizimi!
E mbështes fuqimisht forcimin e familjes dhe do të vijoj të promovoj energjikisht mbrojtjen e saj.
Të mos harrojmë çfarë na mësoi Shenjtorja shqiptare dhe e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza: “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!”
Discussion about this post