Të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars 2020 t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Por negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria këmbënguli se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe që prekin gjuhën, historinë dhe identitetin.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nuk pret që një samit i BE-së javën e ardhshme t’i hapë rrugën vendit për të filluar bisedimet e anëtarësimit dhe për këtë fajësoi Bullgarinë.
Të gjitha qeveritë e BE-së, ranë dakord që në mars 2020 t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Por negociatat nuk kanë nisur ende, pasi Bullgaria këmbënguli se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe që prekin gjuhën, historinë dhe identitetin.
Edhe pse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka shqyrtuar anëtarsimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, kështu që edhe Shqipëria është në fakt e bllokuar.
Në një intervistë për Politico, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se ishte pesimist.
“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për anëtarësim”, tha ai, i ulur në një kolltuk lëkure kafe në zyrën e tij në Tiranë.
I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj: “Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë e mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”
Rama tha se nuk priste që liderët bullgarë të ndryshonin qëndrimin e tyre, pasi ata e kanë kthyer mosmarrëveshjen në një çështje kaq të madhe, sa ishte shumë e vështirë të tërhiqesh.
“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, tha Rama, i cili do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.
Zyrtarët bullgarë kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur se ata thjesht po i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që t’u përmbahet angazhimeve të mëparshme dhe të kërkojë të mbrojë të drejtat e bullgarëve në vend.
Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, ka deklaruar se po bën përpjekje me mirëbesim për t’u angazhuar me Sofjen dhe theksoi se një mosmarrëveshje dypalëshe nuk duhet të pengojë fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe një anëtari të mundshëm.
Rama konfirmoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që oferta e anëtarësimit të Shqipërisë të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut – një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, do të kërkojmë të ndahemi”, tha Rama. “Unë kam besim se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë, atëherë nëse [udhëheqësit e BE-së] do të bien dakord apo jo, ne do të shohim.”
Rama theksoi gjithashtu se ai mbështet idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian – një organizatë që do të ishte e hapur si për anëtarët ashtu edhe për joanëtarët e BE-së.
“Unë mendoj se ai ka të drejtë. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë… sepse kjo është vizionare”, tha Rama, ndërsa nuk pranon të hyjë në detaje për formën që duhet të marrë komuniteti.
“Kjo mund të diskutohet, por në parim, të kesh një komunitet politik i cili organizohet në mënyra të ndryshme … është shumë e rëndësishme dhe është përtej Bashkimit Evropian që kemi sot … i cili qartësisht nuk është në gjendje të përballet me sfidat e kohës që janë përpara”, tha ai.
Macron e përcaktoi planin e tij pjesërisht si një përgjigje ndaj luftës në Ukrainë, duke sugjeruar se komuniteti i propozuar do të ishte një mënyrë më e shpejtë për Kievin për t’u integruar në strukturat politike evropiane sesa procesi i gjatë i pranimit në BE.
Lufta e Rusisë ka nxjerrë në pah gjithashtu ndarjet në Ballkanin Perëndimor.
Disa vende, si Shqipëria, e kanë ndjekur BE-në në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa të tjerët, si Serbia, jo.
Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje gjatë dekadave, Rama kërkon mirëkuptim për pozicionin e Beogradit.
“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë të tjerë, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha ai.
Ai tha se besonte se Serbia duhej të vendoste sanksione me kalimin e kohës, por paralajmëroi kundër nxitjes së Beogradit, i cili është shumë i varur nga Moska për furnizimet me energji, për të bërë shumë dhe shumë shpejt.
“T’u kërkosh që ta bëjnë tani, dhe në të gjithë diapazonin, është praktikisht e pamundur… Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre”, tha ai.
”Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, paralajmëroi Rama.
“Ne ndonjëherë duhet të durojmë bashkë me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund ta mbajmë këtë komunitet të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira”, theksoi ai.
“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë apo mund të dëshirojmë. Por, më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të këqij për të gjithë dhe, veçanërisht, për këtë rajon”, tha Rama.
tv6+1vlora
Discussion about this post