Pas reagimeve të shumta nga opozita, Presidenca ka sqaruar se përse Begaj nuk priti afatin prej 30 ditësh që Fredi Beleri ka për të ankimuar vendimin e KQZ-së, për heqjen e mandatit, përpara se të dekretonte zgjedhjet e reja në Himarë.
Përmes një reagimi për “Top News”, Presidenca thotë se siç e përcakton sistemi ligjor shqiptar, në rast vakancash, Presidenti i Republikës vihet në lëvizje pas njoftimit dhe ka 48 orë kohë të veprojë.
Presidenca gjithashtu sqaron se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Belerin të aknimojë vendimin duke kërkuar të drejtën e tij në institucionet përkatëse. Begaj dekretoi datën 4 gusht, si dita e mbajtjes së zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Himarës.
Sqarimi i plotë i Presidencës:
Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ.
Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave.
Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë. Zgjedhjet e pjeseshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese.
Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen.
Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka shpallur datën e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Himarës. Pas konfirmimit të pavlefshmërisë së kryebashkiakut të zgjedhur por të pabetuar Fredi Beleri, është vendosur që data për zgjedhjet e reja të jetë 4 Gushti.
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Discussion about this post