Në një kohë kur emri i ish-ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është rikthyer në qendër të vëmendjes sidomos nga opozita, pas një artikulli kritik të publikuar nga një ndër mediat analitike më të njohura në SHBA, Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio është takuar me të.
Në shkrimin e autorit Michael Rubin, Kim akuzohet për marrëdhënie të ngushta me kryeministrin Edi Rama, i përshkruar si një lider autokrat dhe i korruptuar. Artikulli i bën thirrje administratës Trump dhe sekretarit Rubio të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj amerikanë, duke cilësuar mandatin e Kim si një “gabim që nuk duhet përsëritur”.
Pavarësisht këtyre akuzave, takimi i saj me Rubio ndodhi në mënyrë të rastësishme në ambientet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Kim e ndau vetë këtë moment në Instagram, duke postuar disa foto nga biseda e tyre në kafenenë e institucionit.
Aktualisht, Yuri Kim mban postin e ndihmës sekretares për Çështjet Evropiane dhe përflitet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë postin e ambasadores së SHBA-së në Filipine.
Në postimin e saj, Kim shprehet e kënaqur për këtë takim të papritur, duke shkruar: “Sa mirë që Sekretari Rubio ndodhej në kafenenë e Departamentit të Shtetit njëkohësisht me ne, në ditën e tij të tretë në detyrë.”
Discussion about this post