Kryeministri Edi Rama ka bërë disa ndryshime në kabinetin qeveritar. Kreu i qeverisë i ka propozuar Presidentit të ri, Bajram Begaj shkarkimin e Arben Ahmetajt nga detyra e zv/kryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Rama ka propozuar që zv/kryeministre të bëhet Belinda Balluku. Ajo do të mbajë njëkohësisht edhe postimin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kryeministri Rama ka sqaruar në postimin e tij në Twitter se energjia është sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura sfidë e pandërprerë kombëtare.
“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre”, shkruan Rama.
Ai falenderon ndër të tjerat Ahmetajn për kontributin.
“Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin”, shprehet Rama.
Po ashtu, Rama ka propozuar që Majlinda Dhuka të emërohet ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore me Bashkimin Europian. Kryeministri shprehet që në momentin që prioriteti i rindërtimit ia lë vendin prioritetit të negociatave ka ndryshuar edhe profili i ministrit të Shtetit. Dhuka emërohet në postin e Kryenegociatores në vend të ambasadorit Zef Mazi.
“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë falenderon Mazin për kontributin në arritjen historike të çeljes së negociatave.
tv6+1vlora
Discussion about this post