Sali Berisha ka paralajmëruar se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit për të ridërguar çështjen e vulës dhe logos së PD për rigjykim, është i turpshëm dhe do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Nga selia e PD, Berisha u shpreh se ata do të kërkojnë në shkresën e tyre përjashtimin e zv.kryetarit Sokol Sadushi dhe më pas anëtarët e tjerë të gjykojnë vendimin e Apelit. Por ish-kryeministri nuk u ndal këtu. Ai theksoi se demokratët do ta ndjekin çështjen dhe në gjykatat ndërkombëtare.
“Mendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë që njerëzit mund të habiten se si mund ta dërgojmë ne te Sadushi! Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë, do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi.
Ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Kurrë në një vend të lirë në botë nuk ka ndodhur të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit.
Në këtë rast, Sadushi që është dhe ai në vetëvete ekzemplar në vendimet dhe qëndrimet e tij, simbol i korrupsionit të dokumentuar dhe të fshehur dhe të gjetur, që do gjindet, por ne do kërkojmë përjashtimin e tij nga gjykimi. Ata do marrin vendimin e tyre”, u shpreh Sali Berisha.
Discussion about this post