Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia kundërshton kategorikisht çdo ndërhyrje ushtarake dhe çdo skenar lufte në rajon, duke theksuar gatishmërinë e vendit për të luajtur rol ndërmjetësues mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për të ulur tensionet. Këtë qëndrim, Erdogan e shprehu gjatë një interviste për gazetën saudite Asharq al-Awsat, gjatë vizitës së tij në Riad.
Presidenti turk nënvizoi se Ankaraja është e angazhuar të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se çdo përpjekje për një ndërhyrje të jashtme, veçanërisht ndaj Iranit, do të kishte pasoja të rënda për popullin iranian dhe për gjithë rajonin. Ai i bëri thirrje palëve të përmbahen dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrisë tensionet.
Erdogan theksoi se Turqia vazhdon përpjekjet diplomatike për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve përmes dialogut dhe u shpreh se një zgjidhje paqësore është e mundur vetëm nëpërmjet koordinimit dhe bashkëpunimit të shteteve të rajonit. Ai sugjeroi gjithashtu krijimin e mekanizmave të sigurisë rajonale për të parandaluar konflikte të mëtejshme.



