Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “India Today”, ku ka folur për rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset politike dhe paqësore. Ajo ka theksuar se përfshirja e grave në vendimmarrjen politike ka ndikim pozitiv dhe sjell rezultate më të shpejta dhe më të qëndrueshme.

“Jam e lumtur që ma bëre këtë pyetje sepse statistikat tregojnë se sa më shumë gra të marrin pjesë në tryezë, aq më shpejt vjen paqja dhe aq më gjatë zgjat ajo,” u shpreh Osmani, duke theksuar se ky ka qenë rasti edhe në rajonin e saj.

Në intervistën për “India Today”, presidentja Osmani u shpreh se shpeshherë është ndjerë e vetme si gruaja e vetme në tryeza dhe samite ndërkombëtare të rëndësishme politike. Ajo theksoi se përfshirja e grave sjell një perspektivë të re dhe të domosdoshme në zgjidhjen e konflikteve dhe sfidave politike. Sipas Osmani-t, mungesa e përfaqësimit të grave në pozita të larta nuk vjen nga mungesa e vullnetit apo aftësive, por për shkak të diskriminimit gjinor që vazhdon të ndodhë në shumë vende dhe profesione, veçanërisht në politikë.

“Numri i grave në krye të shtetit dhe qeverive është ende shumë i vogël. Mendoj se diku tek 20 nga rreth 200 shtete drejtohen nga gra. Ky përqindje nuk pasqyron realitetin e botës, ku gjysma e popullsisë janë gra,” tha Osmani.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes mes grave në politikë, duke shtuar se sa më shumë gratë të bashkohen dhe të ngrisin zërin për të përfaqësuar vendet e tyre, aq më shumë do të hapen mundësi për vajzat e reja dhe gratë që dëshirojnë të angazhohen në politikë.

Në përmbyllje të intervistës, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe synimet e vendit për t’u bashkuar me unionin, duke vlerësuar se ky është një hap i domosdoshëm për zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.

Exit mobile version