Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa konkretë për mobilizimin e strukturave të saj në mbarë vendin, me qëllim angazhimin sa më të gjerë të qytetarëve në marshin qytetar të organizuar me moton “Drejtësi, jo politikë!”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një reagim të shpërndarë për publikun në rrjetet sociale, PDK ka shprehur mbështetje të plotë për këtë iniciativë qytetare të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, duke e cilësuar marshin si një shprehje legjitime, demokratike dhe paqësore të vullnetit qytetar për drejtësi të barabartë dhe të pavarur.

Marshi, sipas PDK-së, ka për qëllim të mbrojë parimet e drejtësisë dhe të ngrerë zërin kundër çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë.

Në deklaratën e saj, PDK ka theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm, duke kërkuar që drejtësia të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare, pa paragjykime dhe pa agjenda politike. Ajo ka rikujtuar se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë dhe çlirimtare, një luftë për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës, dhe se çdo tentativë për të relativizuar këtë realitet historik është një padrejtësi ndaj sakrificës së mijëra qytetarëve.

PDK ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen dhe të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar trashëgiminë çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Exit mobile version