Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e vendit për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe ka ftuar investitorët nga Evropa dhe Ballkani që të shohin Kosovën si një destinacion të sigurt për investime serioze. Deklarata u bë gjatë Ditës së Biznesit Francez, ku Kurti theksoi se Kosova gëzon tashmë stabilitet institucional.

Sipas tij, vendi po zgjeron bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Bashkimin Evropian, rajonin dhe tregje të tjera ndërkombëtare. “Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian, dhe tashmë kemi stabilitet institucional, element kyç për bizneset dhe investitorët”, u shpreh Kurti.

Megjithatë, deklaratat për stabilitet vijnë në një kohë kur Kosova po përballet me ngërç politik dhe mungesë institucionesh funksionale prej rreth një viti. Pavarësisht fitores me 51 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti nuk pranoi të komentojë për mediat lidhur me mundësinë e formimit të një koalicioni qeverisës.

Ndërkohë, në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore, mbetet e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja apo do të arrihet një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Përveç konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, një tjetër sfidë e menjëhershme për shumicën parlamentare mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Për këtë proces nevojitet prania e 80 deputetëve në sallë, ndërsa Kurti aktualisht disponon vota vetëm për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, si dhe për votimin e qeverisë.

Një ditë më parë, Kurti u shpreh optimist se procesi i zgjedhjes së presidentit do të zhvillohet pa probleme, pa dhënë detaje të mëtejshme. Afati i fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit është data 4 mars.

Exit mobile version