Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit, duke vendosur ndaj tyre masën e paraqitjes së rregullt në stacion policor.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, vendimi është marrë pas zhvillimit të tri seancave dëgjimore të ndara, të mbajtura mbrëmjen e kaluar. Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë, atë të paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte kërkuar paraburgimin e të dyshuarve, duke argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar se ata, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin zgjedhor. Sipas prokurorisë, veprimet e dyshuara kanë ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, ku dyshohet se janë falsifikuar rezultatet e votimit, duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vendosur që ndaj të gjithë të pandehurve të aplikohet masa e paraqitjes në stacion policor. Sipas këtij vendimi, ata janë të obliguar të paraqiten rregullisht për një periudhë prej një muaji, nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.

Palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit të përcaktuar me ligj.

Exit mobile version