Sot shënohet nisja e fazës përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020, përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të pandehurit i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese, siç pretendohet nga prokuroria.

Në këtë fazë finale, prokuroria, mbrojtja dhe vetë të akuzuarit do t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues me parashtrimet përfundimtare, përpara se gjykata të tërhiqet për vendimmarrje.

Procesi gjyqësor ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë për afro pesë vjet.

Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për fatin e katërshes, në një proces që ka tërhequr vëmendje të gjerë politike dhe publike në Kosovë dhe më gjerë.

Dhomat e Specializuara janë formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me staf ndërkombëtar dhe janë të vendosura në Hagë, Holandë.

Exit mobile version