Ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Të katërtit akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Prokuroria ka kërkuar dënim me nga 45 vite burg për secilin prej tyre, ndërkohë që përfaqësuesit e viktimave kanë bërë thirrje që zëri i tyre të merret parasysh në vendimin përfundimtar.
Në seancën e radhës, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, theksoi se pikënisja e gjykimit duhet të jetë prezumimi i pafajësisë. Ai u kërkoi gjyqtarëve që të vlerësojnë nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar provojnë fajësinë e klientit të tij “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Mbrojtja kritikoi qasjen e prokurorisë, duke pretenduar se janë anashkaluar prova që, sipas saj, hedhin poshtë pretendimet e aktakuzës. Mishetiq e krahasoi analizën e prokurorisë me një “kronikë filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.
Avokati përmendi edhe dëshmitë e disa figurave ndërkombëtare që kanë dëshmuar në mbrojtje të Thaçit, përfshirë ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, si dhe diplomatin amerikan Christopher Hill. Sipas mbrojtjes, ata kanë deklaruar se Thaçi nuk ishte i dyshuar për krime lufte në kohën kur ndodhën ngjarjet në fjalë.
Procesi gjyqësor trajton pretendime për krime të kryera mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë për shqyrtim trupit gjykues. Gjyqtarët kanë afat deri në tre muaj për të shpallur vendimin, me mundësi zgjatjeje nëse e konsiderojnë të nevojshme.



