Bruksel, 11 shkurt 2026 – ATSH-DPA – Ministrat e Mbrojtjes së Bashkimit Evropian takohen sonte në Bruksel për të diskutuar ndihmë të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, teksa afrohet përvjetori i katërt i pushtimit të plotë rus.
Blloku aktualisht po finalizon kushtet e një pakete kredie prej 60 miliardë eurosh (rreth 71,4 miliardë dollarë) për vitet 2026–2027, që pritet të jetë gati për 24 shkurt, datën e përvjetorit të pushtimit. Me këtë paketë, ndihma totale që BE-ja ka dhënë Ukrainës në financim dhe pajisje do të arrijë rreth 70 miliardë euro.
Ministrave të BE-së do t’u bashkohet për herë të parë homologu i tyre ukrainas, Mykhailo Fedorov, që mori detyrën në janar, për të diskutuar bashkëpunimin në inovacionin në mbrojtje.
“Shembuj për bashkëpunim të ngushtë midis BE-së dhe Ukrainës përfshijnë bashkëprodhimin e pajisjeve të nevojshme, duke përfshirë dronë, radarë, sisteme të luftës elektronike dhe teknologji të lidhura me hapësirën, si dhe modernizimin e qendrave të trajnimit për forcat e armatosura ukrainase”, tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit është mënyra se si BE-ja mund të mbështesë monitorimin e armëpushimit, në rast të një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.



