Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të kabinetit të sigurisë së Izraelit për të ndryshuar procedurat e regjistrimit të tokës dhe të përvetësimit të pronës në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar këto masa si të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare.

Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, së bashku me komisioneret europiane Dubravka Suica dhe Hadja Lahbib, theksuan se hapat e ndërmarrë nga autoritetet izraelite janë “kundërproduktivë” dhe rrezikojnë të minojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim dhe paqe në rajon.

“Masat e reja të miratuara nga kabineti i sigurisë izraelit për Bregun Perëndimor janë kundërproduktive dhe të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Sipas BE-së, vendimet që prekin zbatimin e Protokollit të Hebronit – marrëveshja e arritur në vitet 1990 mes Izraelit dhe Autoritetit Kombëtar Palestinez për rregullimet në qytetin e Hebronit – mund të rrezikojnë “status quo-në e ndjeshme” në vendet e shenjta.

Brukseli ritheksoi se nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret e pushtuara që nga qershori i vitit 1967, duke iu referuar rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën deklaratë, BE-ja përsëriti mbështetjen e saj për zgjidhjen me dy shtete, të bazuar në rezolutat e OKB-së, që parashikon bashkëjetesën e Izraelit dhe një shteti të pavarur palestinez në paqe, siguri dhe njohje të ndërsjellë.

Anëtarët e Komisionit Europian nënvizuan se BE-ja do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përmes Aleancës Globale për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, ndërsa u bënë thirrje të gjitha palëve të shmangin veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe të dëmtojnë perspektivën për një marrëveshje të negociuar.

Exit mobile version