Qeveria “Kurti 3” merr 66 vota, BE premton mbështetje dhe kërkon thellim reformash
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 11 shkurt dhe, në të njëjtën seancë, miratoi me 66 vota pro qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, duke zyrtarizuar nisjen e mandatit të tretë të tij në krye të ekzekutivit.
Pas votimit në Kuvend, reagimet nga Brukseli erdhën menjëherë. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e uroi Kurtin për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se ekziston një momentum i ri për avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të dialogut me Serbinë.
Në një postim në platformën X, Kallas u shpreh e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë, ndërsa theksoi se përparimi në reforma mbetet kyç për integrimin evropian të vendit.
“Sundimi i ligjit dhe reformat janë rruga më e shpejtë për të siguruar mbështetje nga BE-ja në vlerë prej qindra miliona eurosh dhe për të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit”, ka theksuar ajo.
Edhe Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, përgëzoi Kurtin, duke vënë theksin te rëndësia e zbatimit të reformave dhe përfitimet që sjell Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ajo paralajmëroi një vizitë të afërt në Kosovë.
Qeveria e re u votua pas konstituimit të Kuvendit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Kurti, kishte siguruar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke fituar 57 mandate.
Mbledhja e parë e kabinetit është planifikuar për paraditen e së enjtes. Në fokus të menjëhershëm pritet të jetë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, me një vlerë të përgjithshme që arrin rreth 1 miliard euro, të cilat konsiderohen thelbësore për mbështetjen financiare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.



