“Kur shkatërrojmë një pyll, po krijojmë PBB. Kur peshkojmë tepër, po krijojmë PBB.” Me këtë paralajmërim, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për një rishikim rrënjësor të mënyrës se si matet suksesi ekonomik në nivel global.

Sipas tij, ekonomia botërore duhet të shkojë përtej Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) si treguesi kryesor i progresit, pasi modelet aktuale po shpërdorojnë burimet natyrore dhe po e çojnë planetin drejt një katastrofe mjedisore. Guterres kërkoi një rishikim urgjent të sistemeve financiare globale, duke argumentuar se e ardhmja e njerëzimit varet nga ndryshimi i tyre.

“PBB-ja tregon koston e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje”

Për dekada me radhë, qeveritë kanë vendosur rritjen e PBB-së si objektivin kryesor ekonomik. Por kritikët theksojnë se rritja e pakufizuar në një planet me burime të kufizuara ka nxitur krizën klimatike, degradimin mjedisor dhe rritjen e pabarazisë.

“Të shkosh përtej PBB-së do të thotë të masësh atë që ka vërtet rëndësi për njerëzit dhe komunitetet e tyre. Bota jonë nuk është një korporatë gjigante,” u shpreh Guterres.

Në janar, OKB-ja organizoi në Gjenevë konferencën “Përtej PBB-së”, ku morën pjesë ekonomistë të njohur botërorë, përfshirë laureatin e Nobelit Joseph Stiglitz, ekonomistin indian Kaushik Basu dhe eksperten e kapitalit Nora Lustig. Ata janë pjesë e një grupi të ngritur nga Guterres për të hartuar një panel të ri treguesish që marrin në konsideratë mirëqenien njerëzore, barazinë dhe qëndrueshmërinë.

Krizat globale dhe kufizimet e PBB-së

Një raport i publikuar nga grupi thekson se urgjenca për të adresuar kufizimet e PBB-së është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit – nga kriza financiare e vitit 2008 dhe pandemia Covid-19, deri te ajo që cilësohet si “kriza e trefishtë planetare”: ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja.

Raporti rikujton se vetë “babai” i matjes së PBB-së, Simon Kuznets, kishte paralajmëruar se mirëqenia e një kombi nuk mund të nxirret thjesht nga të ardhurat kombëtare. Edhe nobelisti Amartya Sen kishte theksuar se mirëqenia njerëzore duhet vlerësuar përmes një kuadri më të gjerë që përfshin forma të ndryshme privimi.

Thirrje për transformim më të thellë

Sipas Kaushik Basu, vendet janë të përfshira në një “garë” për të rritur PBB-në, duke lënë në hije mirëqenien e qytetarëve dhe qëndrueshmërinë. Ai paralajmëroi se nëse rritja ekonomike përfiton vetëm një pakicë, ndërsa PBB-ja rritet, kjo ushqen hipernacionalizmin, polarizimin dhe pabarazinë.

Nga ana tjetër, Nora Lustig theksoi se PBB-ja nuk është projektuar për të matur progresin njerëzor. “Rritja ekonomike mund të bashkëjetojë me varfërinë, përjashtimin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Qëllimi nuk është ta zëvendësojmë PBB-në, por ta plotësojmë atë me tregues që matin realisht përmirësimin e jetës së njerëzve”, u shpreh ajo.

Eksperti i politikave ekonomike Jason Hickel, mbështetës i qasjeve të “de-rritjes”, argumenton se kërkohet një ndryshim më i thellë sistemik. Sipas tij, dominimi i PBB-së lidhet me strukturën e kapitalizmit, që mat vlerën përmes fitimit dhe jo përmes mirëqenies.

Klima në rrezik

Sipas vlerësimeve të IPCC, dëmet më të rënda ndaj klimës dhe ekosistemeve mund të shmangen nëse ngrohja globale kufizohet në nivele më të ulëta sesa objektivat aktuale. Përfitimet përfshijnë reduktimin e mungesës së ujit për qindra miliona njerëz, uljen e vdekjeve nga nxehtësia dhe ndotja, si dhe mbrojtjen e shkëmbinjve koralorë dhe akullnajave.

Mesazhi i përgjithshëm i iniciativës së OKB-së është i qartë: nëse suksesi ekonomik vazhdon të matet vetëm përmes rritjes së PBB-së, bota rrezikon të sakrifikojë mjedisin, barazinë dhe vetë mirëqenien njerëzore. Sfida tashmë është transformimi i sistemit drejt një modeli që vendos në qendër njeriun dhe planetin, jo vetëm shifrat.

Exit mobile version