Nga mbrojtja e fëmijëve deri te ndikimi në mjedis, samiti ndërkombëtar për inteligjencën artificiale që nis sot në New Delhi paraqet ambicie të gjera, por mund të përfundojë pa angazhime konkrete.

Rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë Francën, Brazilin, Holandën, Spanjën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të marrin pjesë përkrah kryeministrit Narendra Modi në këtë takim të katërt botëror kushtuar një teknologjie që tashmë po transformon shoqëritë në mbarë globin.

Edicionet e mëparshme janë mbajtur në Paris, Seul dhe në Bletchley Park.

Shumica e drejtuesve më të mëdhenj të sektorit teknologjik do të jenë gjithashtu të pranishëm: nga Sam Altman i OpenAI, te Sundar Pichai, drejtori i përgjithshëm i Google, si edhe Jensen Huang, kreu i Nvidia.

Pas një sërë tryezash të rrumbullakëta dhe debatesh që nisin sot, Modi dhe homologët e tij pritet të hartojnë të enjten një udhërrëfyes të përbashkët për qeverisjen dhe bashkëpunimin global në fushën e inteligjencës artificiale.

Revolucioni në zhvillim, i nxitur edhe nga performanca e fortë në bursë e aksioneve të sektorit të teknologjisë, po ushqen shqetësime mbi ndikimin në mjedis, punësim, krijimtarinë artistike, arsim dhe informim.

Sipas organizatorëve të samitit, Modi synon miratimin e një rezolute që forcon partneritetet ndërkombëtare dhe nënvizon vendin e spikatur të Indisë në dekadën e ardhshme të inteligjencës artificiale.

Exit mobile version