Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur mbështetje për propozimet që synojnë kufizimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët, duke ngritur shqetësime për kohën e tepërt para ekranit dhe ndikimin e saj në zhvillimin e të rinjve.

Në një episod të podkastit politik “Machtwechsel” (“Ndryshimi i pushtetit”), që publikohet sot, Merz theksoi se ekspozimi i zgjatur ndaj rrjeteve sociale mund të ndikojë negativisht në formimin e personalitetit dhe në sjelljen sociale të të rinjve.

“Nëse fëmijët sot në moshën 14 vjeç kalojnë pesë orë ose më shumë në ditë para ekranit, dhe i gjithë socializimi i tyre zhvillohet vetëm përmes këtij mediumi, atëherë nuk duhet të habitemi nga deficitet e personalitetit dhe problemet në sjelljen sociale”, u shpreh ai.

Përpara një kongresi partiak që nis të premten, një degë rajonale e Unioni Kristian-Demokrat (CDU) në Schleswig-Holstein ka propozuar vendosjen e moshës minimale 16 vjeç për përdorimin e platformave si Instagram, TikTok dhe Facebook, të shoqëruar me verifikim të detyrueshëm të moshës.

Merz deklaroi se ka “shumë simpati” për këtë propozim, si dhe për një iniciativë të ngjashme nga Partia Social-Demokrate e Gjermanisë (SPD), partnerja më e vogël në koalicionin qeverisës.

Figura të larta të SPD-së kanë paraqitur një dokument politikash me masa konkrete, përfshirë një model të shkallëzuar që parashikon ndalim të plotë për fëmijët nën 14 vjeç.

Megjithatë, Merz theksoi se është përgjithësisht i kujdesshëm ndaj vendosjes së ndalimeve. “Pyetja kryesore duhet të jetë se si i mbrojmë fëmijët në një moshë kur ata kanë nevojë për kohë për të luajtur, për të mësuar dhe për t’u përqendruar në shkollë”, shtoi ai.

Në fund të vitit të kaluar, Australia u bë vendi i parë që ndaloi fëmijët nën 16 vjeç të kenë llogari në mediat sociale, ndërsa disa vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Exit mobile version