Borxhi publik i Shqipërisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke reflektuar përmirësim të qëndrueshmërisë fiskale dhe menaxhim më efikas të portofolit të borxhit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, raporti borxh/PBB ka zbritur nga 70,03% në vitin 2014 në 54,21% në vitin 2024 dhe 53,04% në vitin 2025 (të dhëna paraprake deri më 31 dhjetor 2025). Kjo tregon se ekonomia shqiptare ka rritur ritmet e saj më shpejt sesa rritet borxhi, duke forcuar balancat fiskale.

Në të njëjtën kohë, vihet re rënie e kostos së financimit. Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka zbritur nga 4,56% në vitin 2024 në 4,23% në vitin 2025, ndërsa kostoja mesatare e borxhit të jashtëm ka rënë nga 3,70% në 3,53%. Financimi me norma më të ulëta interesi ndihmon në optimizimin e shpenzimeve për shërbimin e borxhit.

Struktura e portofolit të borxhit gjithashtu paraqitet më e balancuar: borxhi i brendshëm përbën 59,4% të totalit, ndërsa ai i jashtëm 40,6%. Pesha e borxhit në valutë të huaj ka rënë në rreth 40%, nga 42% më parë, duke reduktuar ekspozimin ndaj rrezikut valutor.

Një tjetër tregues pozitiv është zgjatja e maturimit mesatar të borxhit të brendshëm, i cili ka arritur 2,8 vite (1002 ditë) në vitin 2025, nga 1,7 vite (630 ditë) në vitin 2014 dhe 2,6 vite (923 ditë) në vitin 2024. Rritja e jetëgjatësisë mesatare përmirëson profilin e rrezikut të rifinancimit dhe rrit qëndrueshmërinë e financave publike.

Ky trend tregon se Shqipëria ka arritur të menaxhojë borxhin publik në mënyrë më të qëndrueshme dhe efikase, duke krijuar hapësirë më të madhe për investime dhe zhvillim ekonomik.

Exit mobile version