Një grevë mbarëkombëtare ka paralizuar sot sektorin e turizmit dhe të gastronomisë në Greqi, pas thirrjes së bërë nga Federata Panhelenike e Punonjësve të Restoranteve dhe Turizmit (POEET). Sindikata kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve të reja kolektive, forcimin e kontrolleve për respektimin e masave të sigurisë në vendet e punës, rritje pagash si dhe zgjerimin e përfitimeve të papunësisë për punonjësit sezonalë, në nivelin 80% të pagës së tyre.
Në një deklaratë publike, federata akuzon qeverinë se po i lë mijëra punëtorë sezonalë pa të ardhura gjatë muajve të dimrit. Sipas saj, shumë prej tyre, edhe pse kanë aplikuar për përfitime papunësie që nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit, ende nuk i kanë marrë pagesat.
“Situata po detyron punëtorët me përvojë të largohen nga sektori”, theksohet në reagim, duke shtuar se vendet e tyre po zëvendësohen nga punonjës me kontrata të pasigurta dhe pa mbrojtje të plotë ligjore, të cilët shpesh përballen me abuzime nga punëdhënësit.
Në kuadër të grevës, POEET ka organizuar një tubim proteste këtë mëngjes në Athinë, përpara Ministrisë së Punës, nën sloganin: “Nuk do të punojmë pa të drejta”.



