Shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit një mjet lundrues skaf duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme.
Në bazë të ligjit nr.43, të vitit 2020, drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi R. L., 19 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 24/1/c, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 14/1/b, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord.
Po në vijim të kontrolleve, në portin e Himarës është bërë bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone, pamjet e të cilit janë pasqyruar dhe në rrjetet sociale, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Himarë, konkretisht në plazhin e Qeparos, duke lëvizur brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi A. V., 54 vjeç, banues në Qeparo, u ndëshkua me masën administrative 100.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues gomone për 5 ditë.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Himarë, në plazhin e Jalës, është konstatuar një mjet lundrues tip skaf, i cili gjatë kontrollit ka rezultuar pa dokumentacionin përkatës në bord. Drejtuesi i këtij mjeti lundrues, shtetasi S. L., 48 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masën administrative 10.000 lekë të rinj, si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë.
Discussion about this post