53 ndeshje me fanellën kuqezi, 13 gola të shënuar, një lider i vërtetë brenda dhe jashtë fushës, por Sokol Cikalleshi nuk u preferua në fund nga Sylvinho. Ky ishte një vendim shumë i fortë nga trajneri i Kombëtares, për më tepër që Cikalleshi ishte titullar i padiskutuar gjatë fazës kualifikuese për në “Euro2024”. Mungon Cikalleshi, por në Evropian shkojnë Broja dhe Rey Manaj.
Armando Broja është një nga lojtarët më premtues të futbollit shqiptar, pas ndeshjes me Suedinë, Sylvinho foli me fjalë të mëdha për Brojën, por shqetësues është fakti që pas janarit, pas transferimit të tij te Fulham, Broja është aktivizuar pak ose aspak. Mbetet për t’u parë nëse “bomberi” kuqezi do t’ia dalë në kohë të jetë në formë për “Euro2024”, klasi dhe cilësia në këmbët e tij nuk diskutohet.
Ndryshe nga Broja, Rey Manaj vjen në super formë në këtë Evropian. Me Sivasspor e mbylli me shiritin e kapitenit në krah dhe me shifra fantastike, 18 gola dhe 3 assiste në kampionat.
Një shqetësim më vetë është edhe Jasir Asani, ylli i fazës kualifikuese. Asani mbylli një sezon në stol, me zero minuta në këmbë, forma e tij jo e mirë u pa edhe gjatë dy miqësoreve të muajit mars. Si Broja, ashtu edhe Jasir Asani ishin dy lojtarët e parë që zbarkuar në kryeqytet duke mos dashur të humbasin asnjë minutë për të kapur sa më shpejt formën e duhur fizike.
Në kushte optimale vjen pjesa tjetër e fazës ofensive, nga Muçi te Taulant Seferi, Arber Hoxha dhe Mirlind Daku kanë qenë protagonistë kryesorë me ekipet e tyre respektive.
Discussion about this post