Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet e fundit në Europë për të ardhurat më të ulëta për frymë dhe konsumin për vitin 2021. Në renditje përfshihen vendet anëtare të BE dhe shtetet që kanë aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Për shifrat e Eurostat ka reaguar anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo duke cilësuar fajtor qeverinë e Ramës që sipas tij thyen rekorde në vend-numëro. Ndër të tjera thotë se për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, i cili është kusht për anëtarësim në BE, Shqipërisë i duhet një shekull.
https://www.facebook.com/100077587175629/videos/400031805416554
“Qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje. Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021 Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak.
Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina. Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. Serbia 12 pikë më lart. Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE. Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një Shekull”, shkruan Bozdo.
Ndër të tjera thotë se edhe për konsumin individual, Shqipëria renditet e fundit. Në fund përdor shprehjen “qentë lehin, karvani nuk ecën përpara”.
“Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit. Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare. Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani NUK bën përpara”. Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë”, shkruan Bozdo.
Në të dhënat e Eurostat, Shqipëria renditet e fundit me 32% të mesatares europiane për të ardhurat për frymë për vitin 2021, ndërsa Bosnje Hercegovina ka të ardhura për frymë sa 33% e mesatares së BE-së. Rekordin në rajon e mban Mali i Zi me 47% ndërsa Maqedonia e Veriut e ka treguesin 10 pikë përqindje më të lartë sesa Shqipëria.
Prej disa vitesh, Shqipëria nuk po arrin të rritet më shpejt sesa fqinjët apo vendet e tjera të BE-së, duke ngecur në procesin e konvergjencës ose rritjes më të shpejtë me synim që të kapë mesataren e Bashkimit Europian brenda një periudhe të caktuar.
Discussion about this post