Pesë ‘blerje’ për kuqezinjtë, Reja shuan dyshimet për titullarët
Kombëtarja shqiptare i ka dhënë fund përgatitjeve për miqësoren e luksit me Arabinë Saudite. Trajneri i kuqezinjve Edi Reja kishte në dispozicion edhe 5 futbollistë të tjerë, të cilët janë stërvitur për herë të parë me grupin.
Bëhet fjalë për emra si Ardit Toli, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani të cilët ishin në fushë në fundjavë me ekipet respektive. Testi ndaj Arabisë Saudite do të jetë një mundësi mjaft e mirë për lojtarët e spikatur të Kampionatit shqiptarë, ku i duhet të tregojnë vlerat e tyre dhe të fitojnë shansin për të qënë sërish pjesë e përfaqësueses.
Rivalët janë edhe një kombëtare që do të jetë pjesë e finaleve të Kupës së Botës muajin e ardhshëm në Katar, duke rritur kështu shkallën e vështirësisë për skuadrën tonë.
Miqësorja Arabi Saudite – Shqipëri do të luhet këtë të mërkurë në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit dhe do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale ose 16:30 sipas orës shqiptare. Për shkak të faktit që Arabia Saudite do të jetë pjesë e Botërorit, ata kanë kërkuar që ky 90 minutësh me Shqipërinë të mos transmetohet, duke mos prodhuar sinjal televiziv.
Discussion about this post