Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, do të dëshmojnë para Kongresit amerikan në fund të këtij muaji, si pjesë e hetimit të udhëhequr nga republikanët lidhur me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

James Comer, kryetari republikan i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, konfirmoi se të dy kanë pranuar të paraqiten për pyetje, të cilat do të regjistrohen dhe filmohen.

Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, ndërsa Bill Clinton më 27 shkurt, dhe të dy do të japin dëshmi nën betim.

Sipas mediave amerikane, pranimi i Clintonëve për të dëshmuar ka çuar në anulimin e një votimi të planifikuar për një masë “përçmimi ndaj Kongresit” kundër tyre, masë që ishte shtyrë pasi Clintonët kishin refuzuar të bashkëpunonin për muaj të tërë me hetimin parlamentar mbi aktivitetet e Epstein, duke e quajtur atë si një hetim të motivuar politikisht.

Comer theksoi se anëtarët e komisionit nga të dy partitë kanë theksuar se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë çiftin Clinton. Ai kritikoi Clintonët për refuzimin e përsëritur për të dëshmuar dhe për pranuar të paraqiten vetëm pas kërcënimit me procedura për përçmim ndaj Kongresit.

Emri i Bill Clinton është përmendur në dokumentet e hetimit për Epstein, megjithatë ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo sjellje të pahijshme lidhur me njohjen e tij me Epstein.

Jeffrey Epstein, një multimilioner, drejtoi për vite me radhë një rrjet trafikimi seksual, duke shfrytëzuar dhjetëra gra të reja dhe të mitura. Ai vdiq në burg në vitin 2019, ndërkohë që priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual.

Exit mobile version