Greqia dhe Turqia pritet të rikthehen në tryezën e dialogut javën e ardhshme, në një përpjekje për të ringjallur një proces afrimi që prej kohësh ka mbetur i ngrirë. Takimi zhvillohet në një klimë tensioni të shtuar rajonal dhe mes shqetësimeve për ndikime të paparashikueshme nga skena ndërkombëtare, përfshirë rolin e presidentit amerikan Donald Trump.

Duke nisur nga sot në Ankara, do të mblidhet Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi–Turqi, një mekanizëm i krijuar në vitin 2010 pas përplasjeve të forta në Mesdheun Lindor. Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të zhvillojnë një takim në nivelin më të lartë, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Megjithëse synon promovimin e një “axhende pozitive” mes dy vendeve anëtare të NATO-s, veçanërisht në ekonomi dhe turizëm, Këshilli ka pasur rezultate të kufizuara. Ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, hera e fundit në Athinë në dhjetor 2023, pa prodhuar ndonjë përparim thelbësor.

Mosmarrëveshjet në Detin Egje mbeten thelbi i tensioneve. Së fundmi, përdorimi nga Turqia i sistemit të navigacionit detar Navtex për paralajmërime mbi aktivitete ushtarake greke ka hapur një kapitull të ri polemikash. Athina e cilëson këtë veprim si përpjekje të paligjshme për zgjerim të autoritetit detar, ndërsa Ankaraja e konsideron një procedurë rutinë, në përputhje me ligjin.

Në Greqi, çështja Navtex ka rritur presionin politik ndaj qeverisë Mitsotakis, veçanërisht nga e djathta populiste, e cila akuzon ekzekutivin për tolerancë ndaj pretendimeve turke në Egje. Në Turqi, mediat proqeveritare e paraqesin situatën si një ndryshim të status quo-së në favor të Ankarasë.

Prej dekadash, dy vendet janë në konflikt për shelfin kontinental, burimet natyrore dhe zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Egje. Turqia, në kuadër të doktrinës së saj ushtarake “Atdheu Blu”, pretendon zona të gjera detare, ndërsa Greqia i referohet Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982, të cilën Ankaraja nuk e ka nënshkruar.

Sipas kësaj konvente, shtetet kanë të drejtë të shtrijnë ujërat territoriale deri në 12 milje detare, por në rastet e mbivendosjes kërkohet marrëveshje dypalëshe – një marrëveshje që mes Athinës dhe Ankarasë ende mungon. Turqia ka paralajmëruar që prej vitit 1995 se një zgjerim i tillë i Greqisë në Egje do të konsiderohej “shkak për luftë”.

Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shihet si instanca e fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, një ndërmjetësim i tillë kërkon kërkesë të përbashkët nga të dyja palët – diçka që diskutohet që prej vitit 1976, por pa asnjë rezultat konkret.

Pavarësisht takimit të ardhshëm, pritshmëritë për një marrëveshje të madhe mbeten të ulëta, ndërsa dialogu shihet më shumë si përpjekje për menaxhimin e krizave sesa për zgjidhje përfundimtare.

Exit mobile version