Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij dhe duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të ndikuara nga narrativa të vjetra politike.

Në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues, Thaçi deklaroi se shumë nga akuzat e paraqitura janë të ngjashme me ato që, sipas tij, janë përdorur më parë gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. Ai akuzoi Prokurorinë për përpjekje për të diskredituar dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të NATO-s, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilët ishin të pranishëm në Kosovë gjatë luftës.

Thaçi shtoi se në Konferencën e Rambujesë kishte mbështetur hetimin e krimeve të supozuara nga të gjitha palët nga Tribunali për ish-Jugosllavinë. Pas luftës, sipas tij, kompetencat për hetime ishin në duart e autoriteteve ndërkombëtare dhe ai ka mbështetur punën e tyre. Ai theksoi gjithashtu se pas shpalljes së pavarësisë, si kryeministër dhe më pas si president, kishte inkurajuar vazhdimin e hetimeve të pavarura nga misioni i EULEX dhe kishte angazhuar ekspertë për të krijuar një forum për viktimat.

Ish-presidenti kërkoi që vendimi i gjykatës të bazohet në Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe provat e paraqitura gjatë procesit, duke theksuar se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.

Në fjalën e tij, Thaçi tha se: “Shumë nga akuzat që kam dëgjuar në këtë sallë janë të njëjta me ato nga fushatat zgjedhore në Kosovë. Është e dhimbshme që Prokuroria përpiqet të injorojë dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë që ishin gjithë kohës bashkë me ne në terren. Drejtësia për viktimat nuk mund të vendoset duke ndjekur të pafajshmit. Pajtimi nuk mund të ndodhë me ndjekje selektive. Sot, kam vetëm një lutje: që vendimi juaj të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe provat e paraqitura.”

Exit mobile version