Presidenti amerikan, Donald Trump do të udhëheqë sot në Uashington mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, një strukturë ndërkombëtare e krijuar për të adresuar situatën humanitare dhe politike në Rripin e Gazës, raportoi Reuters.

Takimi do të përfshijë përfaqësues nga mbi 45 vende dhe Bashkimi Evropian, ndërsa mbeten të pazgjidhura çështje kyçe si çarmatimi i luftëtarëve të Hamasit, fondi për rindërtimin e zonës dhe shpërndarja e ndihmës humanitare për popullsinë e prekur nga konflikti.

Zyrtarët amerikanë bëjnë me dije se vendet pjesëmarrëse kanë mbledhur rreth 5 miliardë dollarë për rindërtimin, përfshirë kontribute prej 1,2 miliardë dollarësh nga Bashkimi Evropian dhe Kuvajti, megjithëse nevojat reale priten të jenë më të mëdha.

Mbledhja zhvillohet në objektin e ri të emërtuar ”Donald J. Trump U.S. Institute of Peace”, i cili do të shërbejë si platformë për diskutime mbi një plan më të gjerë paqeje. Struktura ka qenë objekt kritikash, pasi përfshin Izraelin, por nuk ka përfshirë përfaqësues palestinezë, duke ngjallur shqetësime për rolin e OKB-së në zgjidhjen e konflikteve.

Gjithashtu pritet që Trump të njoftojë planet për dërgimin e mijëra trupave ndërkombëtarë në një forcë stabilizimi për Gazën, megjithëse vendosja e tyre do të lidhet drejtpërdrejt me çarmatimin e Hamasit.

Në takimin e sotëm pritet të marrin pjesë figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair, ndërsa anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si Franca, BM, Rusia dhe Kina nuk pritet të jenë prezentë.

Exit mobile version